Nizami i rilindur në procesin e iluminimit të tij e kuptoi se edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni kishte karakter fetar sepse ne nuk kemi pasur asnjëherë problem territorial dhe politik me maqedonasit. Gjithmonë problemi ynë ka qenë feja dhe si pasojë nuk ka vend ku komshi janë shqiptarë myslimanë e maqedonas ortodoks e ku nuk shkëmbehet në festa fetare bakllava me vezë ngjyrosura por të pa kryqëzuara
Nga Lume HUSEINI
Këtë javë në rrjetin tiktok shpërndahet një video ku një mashkull pesëdhjetë vjeçar me emrin Fatmir Limani në një shtab partiak në Turqi i rrethuar me do turq me mustaqe dhe një fotografi të madhe të Rexhep Erdoganit, prezanton veten në shqip si një fatos i eksituar që reciton para mësueses “Qesh i vogël dhe u rrita, n`prehër t’nanës u mërzita..”.
Për ata që nuk e njohin, Fatmir Limani ishte nëndrejtor në EMV në kohën kur nuk kishte luftëra fetare dhe rroga e majme vinte në konton e tij bankare çdo muaj së bashku me privilegjet tjera që gëzojnë të emruarit partiak në institucione dhe drejtori të ndryshme. Fatmir Limani u kandidua për kryetar të komunës së Kërçovës dhe sipas rregullit duhej të dorëhiqej nga funksioni që kryente por ai qëndroi stoikisht derisa e shkarkuan sepse zyrtarët e shkarkuar kanë të drejtë një vit ta marrin një përqindje të lartë të rrogës që e kanë pasur në kohën kur lulet lulëzonin, zogjtë fluturonin dhe në botë mbizotëronte harmonia ndërfetare.
Pas një kohe Limani iu bashkua lëvizjes Besa që është e drejtë totalisht legjitime e tij, por risia që solli ai është performanca e incizuar në ndonjë qosh të Stambollit ku ai bëri disa deklarata të çuditshme sa qesharake aq edhe patetike që definitivisht nuk korrespondojnë me realitetin të cilin e ka jetuar deri dje e as realitetin në të cilin vazhdojmë të jetojmë sot ne njerëzit e vdekshëm. Si një fatos i mbarë dhe i dëgjueshëm, tërësisht i përulur ndaj zotërinjve të ri, ai filloi performancën e tij me fjalët“Edhe pse na prezentoi prijësi ynë që na solli këtu unë quhem Fatmir Limani, djal dëshmori, i burgosur politik”dhe pastaj tha fjalën kyçe që hap dyert e mundësive në tregun turk ” dhe në të njejtën kohë, përkrahës i të gjitha etniteteve të cilat i takojnë një besimi të përbashkët i cili është i yni, besimi islam”. Këtu zotërinjtë e tij të ri dhe një zonjë që e prishte pamjen e ndejës mashkullore duartrokitën nizamin e ri.
Ky nizam tani më do të jetë në misionin ta bind popullatën lokale shqiptare se nacionalizmi është haram për pjesëtarët e popujve tjerë që i takojnë besimit islam përveçse për popullin hyjnor turk. Me zbehjen e vetëdijes kombëtare dhe përfortësimin e identitetit fetar islam-turk ne do të jemi sërish pjesë e perandorisë otomane por këtë herë të ringjallur nga Turqia me shkallë aktuale të inflacionit 50.58% , gjë që e bën praktikisht shumë të vështirë jetën për banorët e Turqisë e mos flasim më për trojet tjera nën pushtetin imagjinar turk.
Pas deklaratës solemne të nizamllëkut Fatmir Limani vazhdon të shkretojë “ unë sonte nuk ju marrë shumë kohë por si historian dhe në baza të historisë e shoh se të gjitha luftërat janë fetare dhe jo kombëtare, dhe unë uroj që fitorja juaj t’i dridh të gjithë armiqtë që janë vërsul Turqisë dhe konkretisht liderit tuaj”. Në përpjekje për të qenë sa më teatral në lidhje me histerinë e zotëriut të tij kryesor Rexhep Erdoganit se bota e lufton Turqinë se ajo është myslimane, ndërsa gjithë çka dëshiron Turqia është ta ketë Erdoganin sulltan deri në fund të jetës së tij, historiani i Kërçovës deklaron një zbulim epokal historik të cilin ia kishte treguar agjenti i shërbimit sekret të Rumelisë“Zybixhet 14” tu pi kafe në një çajtore në çarshi të Shkupit. Edhe pikërisht kjo është brenga e botës, ta luftojë islamin përmes Turqisë që sipas FMN deri në 2021 kishte statusin e njëjtë me Maqedoninë si vend në zhvillim ndërsa sot listohet në vendin 48 pas Hungarisë dhe Argjentinës si vend i zhvilluar. Pra e tërë bota është vënë ta shkatërrojë Turqinë si partner super i dëgjueshëm i SHBA-ve, Izraelit dhe NATO`sepse ajo nuk parashtron asnjë rrezik për botën përveçse për kurdët lokal dhe kurdët e Sirisë! Prandaj Limani pohon plotësisht i bindur se fitorja e Erdoganit në zgjedhjet presidenciale për pushtet tokësor në Turqi do jetë goditje e fortë për armiqtë e Turqisë dhe fitore fesë tonë të përbashkët islame.
Nizami i rilindur në procesin e iluminimit të tij e kuptoi se edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni kishte karakter fetar sepse ne nuk kemi pasur asnjëherë problem territorial dhe politik me maqedonasit. Gjithmonë problemi ynë ka qenë feja dhe si pasojë nuk ka vend ku komshi janë shqiptarë myslimanë e maqedon ortodoks e ku nuk shkëmbehet në festa fetare bakllava me vezë ngjyrosura por të pakryqëzuara. Njëjtë edhe në Kosovë, UÇK –ja myslimano-katolike luftoi kundër serbëve ortodoks dhe derisa NATO e bombardoi Serbinë jashtë Kosovës për ta shpëtuar pakicën katolike shqiptare, myslimanët i shpëtoi Turqia me atë sustën e kuqe që aktivizon artilerinë e padukshme dhe neutralizon pa mëshirë armiqtë e islamit. Sot e kësaj dite,sulltani më mysliman se të gjithë myslimanët e botës, Rexhep Erdogani zbaton sanksione të rënda ekonomike ndaj dajallarëve të vet serb dhe si pasojë qarkullimi tregtar mes këtyre dy shteteve armike në vitin 2021 ishte 2 billion dollarë ndërsa palët u zotuan se në të ardhmen e afërt ky numër do rritet në 5 bilion dollarë.
Turqia si shtet ka të drejtë ta ushqejë një fantazi të veten, të bëj biznes me këdo që i lëvërdis, të tentojë të zgjerojë ndikimin e vet në vende të cilësuara si “birra të zeza” edhe e gjithë kjo është në rregull. Ajo që nuk është në rregull, është vrulli i nizamëve shqiptar që marrin përspipër ta “mbrojnë islamin “ duke çkombtarizuar shqiptarët dhe duke ndryshuar kodin tone gjenetik i cili është evropian dhe jo aziatik. Pra ne jemi shqiptarë autokton në tokat tona dhe flasim një ndër gjuhët më të vjetra indo-evropiane e cila qëndron e vetme dhe e padegëzuar. Ky fakt historik dhe shkencor nuk u ndryshua nga serbët me gjithë tentativat që kishin për të plasuar teza se neve na kanë sjellur otomanët, as nga evropianët që mbyllën sytë ndaj sakatimit tonë dhe me siguri nuk do ndryshohet as nga abijat me kostume dhe mustaqe si nënshkrues të konventës jugosllavo-turke për shpërnguljen e 800 000 “turqve” që ishin shqiptar të cilëve me të shkuar në atdheun e ri, shteti ua ndryshoi emrat nga Bajram Shabani në Ertogül Turkoglu sepse kështu është më sevap…
Plani që kanë marrë përsipër ta zbatojnë nizamët si Fatmir Limani është 95% i neveritshëm dhe 5% i rrezikshëm sepse masa të cilën e joshin këta tregtarë është fluide dhe e paqëndrueshme. Këtë masë e joshin benefitet e premtuara,darkat, stipendionet, fuqia që do e kenë si vazal të perandorisë por në thellësinë e vete dinake ajo masë kurrë nuk e pranon turkun e vogël me mustaqe për shef të vetin. Tjetra është se kur ju del viza,këta luanë potencial të perandorisë nisen pa mëdyshje për në ekonominë e katërt botërore- Gjermaninë qafire e rrallë ose asnjëherë nuk shkojnë në fuqinë imagjinare botërore-Turqinë islamike!
Fatmir Limani është prurja e fundit e një rryme që përhapet 15-20 vitet e fundit por për dallim nga aktorët tjerë që e luajnë lojën e çifutit që vepron fshehurazi nën petkun e shtëpisë botuese, televizionit, shkollës private dhe organizatës humanitare ky si një amator i rëndë u nizamizua publikisht dhe dëshmoi qartë deri në çfarë shkalle janë të gatshëm ta shpërfytyrojnë veten tregtarët e ri politik –“mbrojtësit e islamit” duke shpresuar se letrae“mbrojtësve të kombit” u dogj nga hajnia dhe nuk e ndez më publikun e dërmuar shqiptar.
Unë personalisht nuk kam frikë për islamin sepse ai është trefish i mbrojtur edhe nga nizamët e kalifatit imagjinar turk, edhe nga sektet shiite iranit që promovojnë martesat një javëshe edhe nga vehabistët me mjekra dhe fustane te bardha që nuk hanë 7 days se është haram dhe kanë pushtet absolut mbi gratë e tyre me burka të cilat e shtojnë umetin me zell dhe e lënë të rritet vetvetiu në lloçin e lagjeve pa asfalt dhe kanalizim. Unë besoj se kauza e gjithë këtyre bashkë nuk është mbrojtja e islamit po mirëqenia jashtë rrjetit të klientelës së BDI si NPK zyrtare shqiptare në qeverinë e Maqedonisë së veriut.
Është shumë legjitime me kërkua mënyra alternative për të mbijetuar si dembel dhe analfabet por këtë komfor e ofron vetëm qeveria ndërsa rrymat nizamiste nuk mund të qëndrojnë në pushtet më shumë se gjysmë viti e kjo kohë është tepër e shkurtë dhe nuk ia vlen barra qiranë as me u përpjek bile.
Prandaj si alternativë më të shëndoshë por edhe profitabile propozoj fermat e gomaricave, sepse qumshti i gomaricave shitet prej 50 deri në 100 euro dhe mundësia e eksportit në shtetet e zhvilluara evropiane është e garantuar. Ky biznes nuk kërkon shumë zotësi, veç tokë, infrastrukturë dhe kujdes për gomarica edhe unë besoj fuqishëm se ekonomitë familjare të mbrojtësve të islamit mund të përmirësohen shumë më lehtë edhe shumë më tepër duke punuar ndershëm për të prodhuar qumësht gomaricash sesa tu e mbrojt islamin duke e sha Skënderbeun dhe duke lavdëruar Mahmudin e djalin e Elizavetës së Serbisë, Osmanin e dytë djalin e Marisë, Beyazidin e djalin e Olivera Despinës e kështu me radhë…..
Sa për fenë islame, ajo do jetë e sigurt në duart e atyre që me sinqeritet e besojnë këtë fe, janë anëtarë produktiv të shoqërisë, punojnë me nder dhe shpërndajnë pozitivitet kudo që shkojnë duke qenë 100% të vetëdijshëm se atributet e Zotit janë absolute ndërsa atributet tona si njerëz janë relative! Këta njerëz kurrë se mohojnë kombin e vet, kurrë se dëmtojnë shoqërinë e vete dhe kurrë nuk përulen para askujt tjetër përveç Zotit.