Sonte me fillim nga ora 20:00, Orkestra e Filarmonisë do të mbajë koncertin e titulluar “Filiz”, në të cilin do të performojë si soliste pianistja e famshme nga Shqipëria që jeton dhe punon në Francë Marie-Ange Nguçi. Dirigjent është maestro George Jackson nga Anglia, i cili do të qëndrojë për herë të parë para Orkestrës së Filarmonisë dhe në program është “Uvertura tragjike” op. 81 nga Johannes Brahms, Simfonia nr. 8 “E papërfunduara” e Franz Schubert dhe Koncerti për Piano dhe Orkestër nr. 3 nga Sergei Rachmaninoff.
Si një pianiste jashtëzakonisht dhe e talentuar, Marie-Ange Nguçi magjistroi për piano me notën më të lartë në Konservatorin Kombëtar të Muzikës në Paris në vitin 2014, në moshën 16-vjeçare. Ajo vazhdoi shkollimin e saj, ku doktorai në analizë muzikore dhe muzikologji në Universitetin e Sorbonës.
Talenti i saj u njoh pasi fitoi çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos Lagny-sur-Marne (Francë) në vitin 2011. Ajo në vitin 2015 fitoi çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos Mackenzie në Nju Jork. Repertori i saj i gjerë varion nga interpretimi i muzikës barok deri në atë klasik dhe romantik, pa anashkaluar edhe atë bashkëkohore.