Deputetja Ajdari: Maqedonia e Veriut ka konfirmuar angazhimin strategjik ndaj Bashkimit Evropian

Linda Limani
By Linda Limani 31 Dhjetor, 2022 13:59

Deputetja <strong>Ajdari</strong>: Maqedonia e Veriut ka konfirmuar angazhimin strategjik ndaj Bashkimit Evropian

Vendi  ynë është shëndëruar në një partner të besueshëm për Bashkimin Evropian duke iniciuar reforma të qëndrueshme por edhe për faktin se shumë vende të Unionit,  që nga fillimi i krizës financiare dhe asaj të migracionit, u ndërgjegjësuan për rëndësinë gjeopolitike të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor e cila lidhet ngushtë me sigurinë e tyre dhe sigurinë e BE-së në përgjithësi, thotë deputetja e BDI, Rina Ajdari në intervistën ekskluzive të fundvitit në Flaka Media Group.

Maqedonia e Veriut, shton ajo, ka konfirmuar pa mëdyshje angazhimin e saj strategjik ndaj Bashkimit evropian,  në një kontekst të ri gjeopolitik, ndër të tjera, me faktin se ishte vendi i parë në rajon që iu bashkua të gjitha dënimeve, sanksioneve dhe masave kufizuese në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës duke arritur në këtë mënyrë plotësisht  përputhshmëri me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Intervistoi: Driton ZENKU

FLAKA: Viti 2022 përfundon si një vit me zhvillime të shumta në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Ndodhi pranimi i propozimit francez në Kuvend rreth kontestit me Bullgarinë. Rezultati i këtij kompromisi rezultoi me hapjen e bisedimeve për inkuadrim në BE, pas plotë 17 vitesh. Cili është vlerësimi i juaj për këtë arritje politike, dhe njëkohësisht edhe për rolin që kishin partitë e bllokut opozitar në gjithë këtë ngjarje?

RINA AJDARI: Jam e bindur se momentumi i Maqedonisë së Veriut tanimë ka ardhur sepse ne besuam por edhe punuam me përkushtim si shoqëri, si sistem politik e kulturor për një vizion optimist; bëmë ndryshime pozitive duke e bërë të pakthyeshme rrugën drejt  integrimit evropian e kjo ndodhi posaçërisht me votimin e Propozimit francez në Kuvend, me të cilin zyrtarisht filloi procesi i skriningut, një fazë tërësisht e re e gjithë procesit të aderimit. Vendi  ynë është shëndëruar në një partner të besueshëm për Bashkimin Evropian duke iniciuar reforma të qëndrueshme por edhe për faktin se shumë vende të Unionit,  që nga fillimi i krizës financiare dhe asaj të migracionit, u ndërgjegjësuan për rëndësinë gjeopolitike të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor e cila lidhet ngushtë me sigurinë e tyre dhe sigurinë e BE-së në përgjithësi. Bashkimi  Evropian dhe e gjithë Evropa, në kohë të fundit po ballafaqohen me sfida të mëdha, të cilat që të mund të menaxhohen kërkojnë domosdoshmërisht  qasje tejet serioze, unitet, bashkëpunim të ngushtë, dialog dhe konsensus politik.  

Sa i takon punës së Kuvendit, mund të them se kjo e fundit u dëmtua shumë nga polarizimi politik sepse i njejti ka rol pozitiv dhe tejet aktiv në procesin e negociatave për integrim në BE. Prandaj duke u nisur nga kjo, duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta dhe të shpejta, bashkë me opozitën që të vendosim si prioritet forcimin e rolit të Kuvendit si forum për dialogun politik konstruktiv, veçanërisht për agjendën e reformave që kërkohen nga ana e BE-së. Poashtu, të fillojmë të përmbushim me prioritet ndryshimet kushtetuese përkatëse me qëllim që në Kushtetutën e vendit të përfshihen të gjithë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të tij.  

FLAKA: Është një pyetje që ua kemi bërë të gjitha deputeteve që i kemi përfshirë në intervista. Vërehet një frynë feministe në Kuvend. Për disa çështje deputetet femra kapërcejnë ngjyrimet politike dhe bëhen bashkë për të propozuar akte ligjore në dobi të tyre. Ekziston një koalicion, ta quajmë, mes deputeteve femra në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut?

RINA AJDARI: Po, është e vërtetë.  Në Kuvend deputetet femra për shumë çështje arrijnë ti tejkalojnë ngjyrimet politike duke u bërë bashkë për të çuar përpara proceset. Si anëtare e Kryesisë së Klubit të Deputeteve mund të them që kemi pasur shumë raste të tilla por do të përmend rastin e fundit ku të gjitha deputetet bashkë kemi punuar për të përgatitur amandamente me të cilat intervenuam në Kodin penal për të rregulluar çështjet e mbrojtjes së grave dhe vajzave nga dhuna në familje dhe dhuna në përgjithësi. Shpesh kemi inicuar edhe debate publike në lidhje me propozim ligjet të cilat I kanë prekur të gjithë qytetarët në aspekt të cilësisë në arsim dhe në shëndetësi.

 FLAKA: Kur jemi te gjinia femërore. Në rrethanat që zotërojnë në vendin tonë, është e vështirë për një femër që të merret me politikë?

RINA AJDARI: Në rrethanat në të cilat jetojmë dhe veprojmë në vendin tonë, mendoj se nuk është e lehtë por ajo që do të kisha thënë është se një gruaje apo femre e cila merret me politikë i  duhet përkrahje e madhe në radhë të parë nga familja. Më pas, pozicionimi dhe performanca politike do të varen shumë nga niveli i përgatitjes profesionale por të njejtat bile edhe do të determinohen nga kushtet e ambientit politik në të cilin vepron dhe punon.

Rina Ajdari

FLAKA: Një pyetje gjithësesi për politikën por për pjesën jashtë syve të opinionit publik. Foltorja e Parlamentit shpeshherë u shndërron në “armiq” mes veti me kolegët e opozitës. Zgjat kjo “armiqësi”, edhe pas mbledhjeve të Kuvendit?

RINA AJDARI: Unë jam në mandatin parë si deputete dhe atë e mora më vonë nga të gjithë kolegët e mi deputet, në fund të tetorit të vitit 2020. Kjo periudhë ishte kohë pandemie, ne në Kuvend duke qenë se mbanim maska dhe qëndronim në distancë nga njëri-tjetri, nuk njihnim mirë as fytyrat e deputetëve. Kjo situatë e vështirësoi punën prandaj tendenca për të paragjykuar dhe për tu keqkuptuar ishte e lartë veçanërisht me opozitën. Në kohë të fundit, raporti me kolegët e opozitës është konstruktiv, nuk mendoj se duhet të ketë armiqësi por vetëm respekt të ndrësjellë për qasjet, mendimet dhe bindjet ndryshe sepse realisht foltorja e Kuvendit është një vend ku paraqiten argumentet pro dhe kundër në kuadër të një debati parlamentar.
 
FLAKA: Është stresuese puna e deputetës? Ju merr shumë energji pjesëmarja në seanca kuvendore?
 
RINA AJDARI: Kuvendi luan rol të rëndësishëm në jetën politike në vend, prandaj si çdo punë tjetër edhe kjo punë i ka vështirësitë e saj por qëndroj në atë që vërtetë është një pozicion me përgjegjësi të lartë. Ndjekja e propozim ligjeve të cilat hyjnë në procedurë në Komisionet e Kuvendit dhe në seanca plenare, leximi i tyre, analiza, vlerësimi dhe vigjilenca për të intervenuar në kohë aty ku është e nevojshme është një proces i cili kërkon përgatitje, konzistencë dhe përkushtim të pakompromis për të qenë të sukseskshëm e mbi të gjitha për të mbrojtur inetresin e qytetarëve.

 FLAKA: Jeni e angazhuar edhe në mësimdhënie në Universitetin Nënë Tereza. Nga cili pozicion mendoni se mund të jepni kontribut më shumë në të mirë të shoqërisë, tani si deputete apo me ditar në duar?

RINA AJDARI: Në Universitetin Nënë Tereza jam në marrëdhënie të rregullt të punës si mësimdhënëse në Fakultetin e Shkencave Sociale, departamenti i Mediave dhe komunikimit ndërkulturor. Arsimi konsiderohet shtylla e një kombi sepse i ndihmon të rinjtë të trasojnë rrugën e dijes për tu profesionalizuar në profile të ndyshme përmes të cilave do të bëhen qytetarë të devotshëm e të përgjegjshëm. Arsimi i lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut i përkushtohet zhvillimit të dijes, krijimit të krahut të punës dhe përforcimit të kulturës –mënyrës së jetesës së njerëzve të moshës madhore por edhe zhvillimit të hulumtimit shkencor dhe gjetjeve të reja shkencore. Nga ana tjetër, mësimdhënia në fushën e studimit të mediave dhe gazetarisë është realisht një gjë madhore dhe tejet humane sepse aty përgatiten kuadrot të cilat në të ardhmen do të jenë të aftë të mbikqyrin atë që ndodh në shoqëri dhe ta transmetojnë e ta plasojnë sa më objektivisht e me një nivel të lartë profesionalizmi. Të jenë pjesë e institucioneve të pavarura e të lira mediatike sepse në realitet mediat e lira dhe qasja deri tek më shumë burrime informative nënkupton detyrimisht më pak korrupsion, stabilitet më të lartë politik, efikasitet të administratës, sundim të ligjit, kohezion social dhe kulturor por edhe mirëqenie socio-ekonomike. Si rrjedhojë do thoja që të dyja profesionet janë humane e me përgjegjësi të madhe sepse nga të dyja pozicionet punohet me përkushtimin më të madh për prosperitet dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve, për një të ardhme më të mirë.

FLAKA: Pak ditë na ndajnë nga Viti i Ri 2023. Sa jeni e kënaqur nga ky vit, në aspektin e politikës në RMV, dhe çka prisni nga viti 2023?

RINA AJDARI: Duke pasur parasysh sfidat e brendshme dhe të jashtme me të cilat ballafaqohet vendi ynë, ekziston një gatishmëri e përgjithshme e vendit, e cila duhet të shërbejë më shumë si një nxitje për të gjithë ne për të vazhduar punën. Maqedonia e Veriut ka konfirmuar pa mëdyshje angazhimin e saj strategjik ndaj Bashkimit evropian,  në një kontekst të ri gjeopolitik, ndër të tjera, me faktin se ishte vendi i parë në rajon që iu bashkua të gjitha dënimeve, sanksioneve dhe masave kufizuese në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës duke arritur në këtë mënyrë plotësisht  përputhshmëri me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

Prandaj në vitin 2023 duhet të punojmë në drejtim të finalizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe përmbushjen e reformave. I tërë procesi i negociatave vlerësoj se duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent bashkë me përfshirjen e sektorit civil dhe të ekspertëve, sepse mbi të gjitha është një detyrë kombëtare të tejkalojmë dallimet në mënyrë që në horizont të duken  mundësi të reja për më shumë reforma e përpjekje për një të ardhme të denjë.

E gjithë kjo le të shërbejë si një nxitje e fuqishme për të gjithë ne në Kuvend, për qeverinë, për administratën dhe për gjithë shoqërinë për të punuar fort e me përkushtimin më të madh për të përmbushur këtë vizion e ëndërr të kahmotshme.  

FLAKA: Jemi në vigjilje të ndërrimit të motmoteve. Zakonisht, ku preferoni të jeni në natën e Vitit të Ri, në mjedis familjar apo jashtë dhe me shoqëri?

RINA AJDARI: Netët e ndërrimit të motmoteve zakonisht preferoj ti kaloj në mjedis familjar por ka pasur raste edhe kur jemi organizuar me shoqëri. Në të dyja rastet janë njerëzit dhe energjia e tyre që i japin kuptim dhe ngjyresa mbrëmjeve. Me këtë,  shfrytëzoj rastin që të gjithë bashkëkombasve dhe bashkëqytetarëve të mi të ju uroj në radhë të parë shëndet, mbarësi e mirëqenie ekonomike në vitin që vjen.

Linda Limani
By Linda Limani 31 Dhjetor, 2022 13:59