Gazetari që nuk e ka “shijuar” terrenin, nuk mund të bëhet redaktor apo moderator i  mirë

Linda Limani
By Linda Limani 30 Dhjetor, 2022 11:30

Gazetari që nuk e ka “shijuar” terrenin, nuk mund të bëhet redaktor apo moderator i  mirë

Edhe në Vitin 2023 do të vazhdoj që me këmbëngulje të jem në anën e opinionit publik dhe qytetarëve dhe të zbatojmë me përpikmëri motivin për të qene Televizion i pavarur dhe objektiv – në anën e shikuesve, kështu premton moderatorja e emisionit debativ “Knal Debat” dhe redaktore në Klan Maqedoni, Xhumadije Ibrahimi. Në Intervistën për Flaka Media Group, Ibrahimi thotë që nëse një gazetar/e nuk e ka “shijuar” terrenin, nuk mund të bëhet redaktor/e e mirë e aq më pak moderator/e e/i mirë e emisioneve.

“Shumë fakte flasin se gazetaria ka qenë, është dhe do të bëhet “trampolinë” për karrierë politike. Për momentin nuk kam plane të tilla”, përgjigjet gazetarja Xhumadije Ibrahimi në pyetjen nëse një ditë do ta shohim të kyçur në plitikë.

Në intervistën me themeluesin dhe kryeredaktorin e Flaka Media Gruop, Driton Zenku kolegia e Tv Klan Maqedoni, Xhumadije Ibrahimi shprehet që: “Në këtë kohë kur jemi të “bombarduar” me dezinformata dhe lajme të rrejshme, besoj se puna e Redaktores merr një dimension krejtësisht tjetër, që përveç përgjegjësisë ngërthen në vete edhe verifikimin e fakteve, që duke ditur transparencën e shumë institucioneve, nuk është edhe punë gjithaq e lehtë për t`ia servuar opinionit informacionin me të gjitha elementet në atë që quhet informim i drejtë dhe objektiv”.

Intervistoi: Driton ZENKU

FLAKA: Edhe një kalendar e nxjerrim nga përdorimi. Po përmbyllim vitin 2022. Sa arrite të përmbushish planet e tua në profesionin që ushtron. Sigurisht që çdo fillimvit i keni vënë vetës ndonjë qëllim se ku dëshiron të arrish?

XHUMADIJE IBRAHIMI: Po e përmbyllim një vit, ku ne si gazetarë, nga afër kemi parë efektet e depresionit dhe zhgënjimit kolektiv. Krizat që nuk përfundojnë në këtë nënqiell, na kanë bërë që të mishërohemi me shoqërinë, me qytetarët, me njerëzit, që i njohim e nuk i njohim. Duke u nisur nga kjo jam munduar që të trajtohen tema ku “target” do të jenë qytetarët, taksapaguesit, me një fjalë ata që në lëkurën e tyre më së shumti i ndjejnë pasojat e kësaj krize. Ekziston një “rregull i artë” në gazetari. Secili funksionar publik i cili me vendimet e tij ndikon në mbarëvajtjen e jetës sonë, do të bëhet objekt trajtimi dhe duhet të jep llogaridhënie para opinionit. Përveç benefiteve të ndryshme që kanë, funksionarët publik duhet ta dijnë se duhet të japin llogari për dështimet, pse jo edhe sukseset, gjatë ushtrimit të detyrës. Jam munduar të mos kursej asnjë prej tyre. Ndoshta në shumë raste kam humbur simpatinë e tyre, por besoj se kam fituar “çmimin” më të madh që këkon një gazetare – simpatinë e opinionit publik. Thonë që rruga drejt suksesit është e mbushur me gjemba dhe plot sakrifica, por kur arrish synimin e ëndërruar, besoj se ia vlejnë dhimbjet e përjetuara nga ato “gjemba” që të dalin si sfida jetësore. Gjithçka varet nga qëllimet që ia vendos vetes. Nëse duash apo jo, të të plotësohen synimet, varet vetëm nga ty. Kësisoji edhe në Vitin 2023 do të vazhdoj që me këmbëngulje të jem në anën e opinionit publik dhe qytetarëve dhe të zbatojmë me përpikmëri motivin për të qene Televizion i pavarur dhe objektiv – në anën e shikuesve.

FLAKA: Simpatinë e opinionit publik, kjo më pëlqeu. Emisioni Klan Debat tashmë moderohet nga ju. Më lehtë të moderosh një emision në studio apo të raportosh nga tereni?

XHUMADIJE IBRAHIMI: Personalisht mendoj se nëse një gazetar/e nuk e ka “shijuar” terrenin, nuk mund të bëhet redaktore e mirë e aq më pak moderatore e mirë e emisioneve. Terreni është diçka që e përjeton nga afër, e përjeton ngjarjen së bashku me lajmin, je pjesë e tij dhe sigurisht që nuk zëvendësohet me asgjë. Thjesht je e lidhur drejtpërdrejt me realitetin. I shohish gjërat nga afër ashtu siç janë, ke kontakte të drejtëpërdrejta me njerëz, njohish njerëz të ri, krijon kontakte të reja. Forcohen më shumë raportet me gazetarët. Terreni të formëson si gazetare dhe të jep orientimin, të ndihmon edhe në punën e redaktores, më mirë i kupton gazetarët, din çfarë kërkon nga ata, bën konceptin e një ditari. Në këtë kohë kur jemi të “bombarduar” me dezinformata dhe lajme të rrejshme, besoj se puna e Redaktores merr një dimension krejtësisht tjetër, që përveç përgjegjësisë ngërthen në vete edhe verifikimin e fakteve, që duke ditur transparencën e shumë institucioneve, nuk është edhe punë gjithaq e lehtë për t`ia servuar opinionit informacionin me të gjitha elementet në atë që quhet informim i drejtë dhe objektiv. Një përgjegjësi edhe më e madhe është edhe vet emisioni Klan Debat. Emisioni nuk kërkon vetëm moderimin por një angazhim i tërë javor para se të bëhet moderimi. Tema që duhet trajtohet, të ftuarit adekuat, përgatitja profesionale e të ngjashme. Por, para së gjithash, mendoj se duhet të vehesh në rolin e një qytetari të rëndomtë, t`i kuptosh shqetësimet e tij, lutjet e tij, dëshirat e tij, në mënyrë që një funksionar i caktuar publik, përmes teje, të sheh qytetarin, votuesin e tij, premtimet që i ka dhënë dhe nëse i ka realizuar. I tillë do të jetë Klan Debati edhe në të ardhmen. I pakompromis në “betejën” për të zbardhur shumë të vërteta dhe për t`i bërë të kapshme premtimet e atyre që vijnë në pushtet dhe shijojnë benefitet e pushtetit lokal apo qendror. Mbase për këtë shkak, pa modesti e them, se Klan Debati është bërë ndër emisionet më të ndjekur në vend.

FLAKA: Një gazetare, një moderatore e shkëlqyeshme. Shumë gazetarë e kanë ndjekur këtë rrugë. Mund ta shohim një ditë Xhumadijën në politikë?

XHUMADIJE IBRAHIMI: Një fjalë e urtë thotë “kurrë mos thuaj kurrë!”. Me të drejtë e shtroni këtë pyetje. Shumë fakte flasin se gazetaria ka qenë, është dhe do të bëhet “trampolinë” për karrierë politike. Për momentin nuk kam plane të tilla. Nuk e shoh veten si pjesë e politikës. Jam e angazhuar në profesionin që e ushtroj dhe ndjehem komod. Ne gazetarët tërë ditën bëjmë politikë, por fatmirësisht larg petkut të politikës. Kam plane të tjera dhe besoj se do ia dalë me sukses edhe larg politikës.

FLAKA: Jeni duke dhënë angazhimin tuaj në Klan Maqedoni por jeni edhe koronspodente  në Tv Klan të Shqipërisë. Jeni kompetente për të na thënë nëse ka ndryshime mes televizioneve në Maqedoninë e Veriut dhe atyre të Shqipërisë?

XHUMADIJE IBRAHIMI: Mediat kanë evoluar aq shumë sa tani më dallimi nuk është edhe aq i madh. Tregu mediatik në Shqipëri po zhvillohet me një shpejtësi të paparë dhe gjithçka është transferuar drejt risive. Performansat televizive atje janë të pakrahasueshme duke u nisur nga spektaklet e shoë bizit e deri tek debatet politike. Atje shohim një konkurrencë të fortë mediatike, luftë për të qenë i pari dhe më i miri. Pronarët e mediave në Shqipëri vazhdimisht kanë investuar dhe investojnë në risi, teknikë të përsosur televizive, studio grandioze, gjithnjë për të joshur audiencën e cila, duhet pranuar, din të jetë mjaft kritike ndaj ofertës televizive. Mendoj se tek rubrika e lajmeve nuk vërrehet dallimi. Tek ne ndoshta dhe jemi më të mire, por në përgjithësi, mediat në Shqipëri kanë ecur shumë përpara në aspektin professional dhe ndoshta janë të parët në rajon, sa u përket spektakleve, shoë bizit dhe emisioneve debative.

FLAKA: Është e vështirë për një femër të merret me gazetari, dhe aq më tepër të drejton një emision politik?

XHUMADIJE IBRAHIMI:  Padyshim se ende jetojmë në një shoqëri konzervative, jetojmë në kohë kur mbretërojnë paragjykime nga më të ndryshme. Gjatë përvojës si gazetare nuk mund të them se kam qenë e privuar të mos jem pre e këtyre paragjykimeve. Ne gazetaret, këtë punë duhet ta kuptojmë jo vetëm si profesion, por edhe si mision. Mision të shenjtë për të dëshmuar se edhe gratë mund të jenë gazetare të mira, redaktore, udhëheqëse emisionesh, njëjtë sikurse burrat. Nëse e bën një punë me vullnet dhe dëshirë asgjë nuk është e  vështirë. Unë e dua punën që bëj dhe ndjehem e plotësuar. Nuk shoh dhe nuk jam ballafaquar asnjëherë më pengesa. Përkundrazi, ndoshta kam hasur në respekt dhe mirëkuptim në të shumtën e rasteve.

FLAKA: Nëse nuk do të ishte gazetare, cili do të ishte prefesioni që sigurisht e keni menduar më herët si opsion?

XHUMADIJE IBRAHIMI:  Kam kryer Fakultetin e Psikologjisë dhe sigurisht që do punoja si psikologe. E dua edhe psikologjinë. Në kohën e studimeve pikërisht në vitin e katërt, pra atë të fundit, isha në dilemë se si do t`i orientoj studimet postdiplomike. Isha në hamendje midis psikologjisë klinike apo organizative. Më pas gjërat ndryshuan. Psikologjia është një profesion që për fat të keq, edhe pse shumë i nevojshëm për njerëzit, por pa perspektivë. Rrethanat ishin të tilla në atë kohë,ku nuk munda të ushtroj profesionin për të cilin diplomova dhe u detyrova të ndryshoj drejtim, për të cilin nuk jam penduar.

FLAKA: Një herë gazetar, çdo here gazetar. Kështu thonë për gazetarët.  Pse është kështu sipas jush?

XHUMADIJE IBRAHIMI: Gazetaria është passion dhe nuk mund të shkëputesh lehtë. Ne kemi kolegë që janë pensionuar, por vazhdojnë të ushtrojnë këtë profesion, pasi gazetaria shkon me shpirtin. Asnjëherë s`mund të themi “gazetar i pensionuar”. Ky profesion të futet aq thellë në trup sa të infekton shpirtin. Mbase ne gjërat, që në pamje të parë duken të zakonshme, i shohim ndryshe. Edhe tek e rëndomta ne gjithmonë gjejmë nuanca lajmi.

FLAKA: Edhe pse jashtë orarit të punës, gazetari mbetet gazetar. Të ka ndodhur që të jesh vizitore apo mysafire diku dhe aty për aty ta marrish rolin e gazetares, pasi ka ndodhur ndonjë ngjarje e papritur?

XHUMADIJE IBRAHIMI:  Nuk ka gazetar, pavarësisht ku ndodhet jashtë orarit të punës, të mos reagojë në ndonjë lajm që prek interesin publik. Ne e kemi obligim ndaj opinionit publik që të raportojmë për cdo gjë që është në interesin e tyre. Tani gazetaria është më e lehtë. Kemi teknologji të sofistikuar, rrjete sociale, vetëm duhet vullneti për të trajtuar në mënyra krejtësisht ndryshe një lajm apo informacion që është me karakter publik. Në gazetari nuk ka orar pune prej 8 orëve. Kjo është e bukura e gazetarisë apo edhe “mallkimi” i këtij profesioni. Mund ta braktisish një ndejë, një aheng, një dalje me familjen apo shoqet, vetëm për të ndjekur apo trajtuar një temë apo lajm, për të cilën je e bindur se do të shërbejë për të informuar por pse jo edhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

FLAKA: Keni krijuar në mendjen tuaj planet për vitin 2023? Çka mund të presim nga Xhumadija në vitin e ri?

XHUMADIJE IBRAHIMI:  Sikurse për cdo vit të ri, shpresojmë të sjellim më të mirën për opinionin publik. Për ne është shumë i rëndësishëm “impakti” që kanë veprimet apo puna jonë. Publiku mbetet barometër për gjërat e mira që mund t`i bëjmë bashkë si ekip. Plane të vecanta nuk kam, por në nënvetëdijen time e di se cdo plan afatgjatë apo afatshkurtër do ta piketojë publikun. Nëse je e plotësuar profesionalisht, padyshim se kjo reflektohet edhe në jetën e përgjithshme, pasi për ne cdo gjë nis e mbaron me gazetarinë dhe impaktin tek opinioni publik.

FLAKA: Pyetja e zakonshme për intervistat e fundvitit. Ku do ta pret ndërrimin e motmoteve Xhumadija?

XHUMADIJE IBRAHIMI:  Prej se jam në këtë profesion, një gjë e di. Dita e 31 Dhjetorit nis zakonisht në punë dhe përfundon në shtëpi. Nuk jam shumë e pasionuar pas festave, pas rrëmujave – preferoj qetësinë. Mbase në këtë mënyrë, të paktën në këtë natë festive, të jem më afër familjes, e cila më shumë se të gjithë, ka ndjerë mungesën time, në plot kuptimin e fjalës, mbase vetëm kur vijnë festat e kuptojmë rëndësinë e vatrës së ngrohtë familjare, vatër e cila të mbështet në të gjitha sukseset e dështimet jetësore. Dua që viti 2023 të jet një vit i qetë, i begatë, larg ngarkesave të viteve të fundit me pandeminë, krizave ekonomike e energjetike e luftës në Ukrainë. Uroj që ky vit të jetë vit i paqes dhe dashurise midis njerëzve.

Linda Limani
By Linda Limani 30 Dhjetor, 2022 11:30