Dua Lipa performon në natën e parë të Festivalit Sunny Hill

admin
By admin 4 Gusht, 2022 15:26

Dua Lipa performon në natën e parë të Festivalit Sunny Hill

Në Prishtinë më 4 gusht nis Festivali i muzikës, Sunny Hill, që organizohet nga Fondacioni me të njëjtin emër i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.

Në konferencën për media para nisjes së festivalit, Dua Lipa tha se është krenare që gjendet në Kosovë dhe u shpreh e emocionuar për performancën gjatë natës së sotme.

“Po më vjen shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim dhe të kem mundësi të bëj diçka të tillë”, tha Dua Lipa.

“Është një ndjesi shumë e mirë të vish të performosh në Prishtinë, nuk ka ndjenjë më të mirë. Mezi po pres që t’i ndiej ato emocionet para se të dal në skenë”, shtoi ajo.

Sunny Hill do të mbahet në Parkun e Gërmisë nga 4 deri më 7 gusht dhe sipas organizatorëve, festivali do të sjellë në Prishtinë një numër të madh artistësh me famë botërore.

Dukagjin Lipa tha se ky festival po organizohet pas një mosmarrëveshjeje me autoritetet në Kosovë lidhur me lokacionin se ku do të mbahej.

“Pati një ndalesë të madhe. Në mendjen tonë ishte sikur asgjë më nuk do të organizohej në mënyrën si ka qenë përpara. Por, fatmirësisht ja ku jemi, pas dy vjetëve organizojmë festivalin më të madh në rajon”, tha Dukagjin Lipa.

Sipas tij, nëse do të realizohej plani paraprak që Sunny Hill të mbahej në Bërnicë të Poshtme, atëherë do të mund të ndiqej nga 40.000 persona.

Por, kapaciteti në Gërmi do të mundësojë që ky festival të ndiqet nga mbi 25.000 persona, që sipas Dukagjin Lipës, bën që edicioni i sivjetmë të jetë më i madhi.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ngjarje sikurse Sunny Hill po ndihmojnë në promovimin e Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi.

“Pavarësisht faktit që Kosova po ndihet e izoluar për shkak të liberalizimit të vizave, Prishtina megjithatë është transformuar në një qendër kreative, inovative që duke i falënderuar njerëzve të mëdhenj, artistëve të mëdhenj sikurse Dua që vijnë e kontribuojnë më shumë se çdo diplomat dhe krejt shteti në promovimin e vendit”, tha Rama.

Më herët gjatë këtij vitit, për shkak të mospajtimeve lidhur me kërkesën për shfrytëzim nga Fondacioni Sunny Hill të një parcele prej 17 hektarësh në periferi të Prishtinës, ishte anuluar mbajtja e festivalit në Prishtinë dhe ishte bartur në Tiranë.

Por, më pas u arrit pajtueshmëria që festivali të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht dhe më pas në Tiranë nga 26 deri më 28 gusht.

Edicioni i parë i Festivalit Sunny Hill është mbajtur më 2018, ndërkaq edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

admin
By admin 4 Gusht, 2022 15:26