Dita e tretë, Kuvendi do të diskutojë për propozimin francez

admin
By admin 16 Korrik, 2022 09:15

Dita e tretë, Kuvendi do të diskutojë për propozimin francez

Kuvendi ditën e tretë me radhë do të diskutojë për Informacionin për përmbajtjen e propozim kornizës  negociuese  për negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, të propozuar nga Presidenca Franceze me Këshillin.

Debati në dy ditët e fundit u zhvillua në një atmosferë të tensionuar. Opozita bëri zhurmë gjatë fjalimeve të deputetëve të shumicës qeveritare, si dhe pati edhe konflikte verbale dhe akuza të ndërsjella mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Sipas listës së deputetëve të regjistruar, të drejtën e fjalës kanë edhe tre të tjerë, pas së cilës Kuvendi do të duhet të vendosë për Informacionin për përmbajtjen e Propozim kornizës negociuese për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në.

VMRO-DPMNE dhe e Majta opozitare kërkojnë refuzimin e këtij propozimi, i cili, sipas tyre, sjell asimilim të drejtpërdrejtë të popullit maqedonas, shantazh dhe pengim shumëvjeçar të procesit të integrimit evropian nga ana e Bullgarisë. Për dallim prej tyre, tabori qeveritar siguron se korniza negociuese ofron paprekshmëri të identitetit dhe gjuhës maqedonase dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski nga foltorja e Kuvendit në ditën e parë të seancës tha se me propozimin e ofruar, gjuha maqedonase qartësohet si e vetmja gjuhë e njohur dhe e pranuar për Bashkimin Evropian dhe se ajo nuk del nga linjat e kuqe.

“Më në fund, pas 17 vitesh pritje, dhe shumë njoftime, dhe shumë zhgënjime pas tyre, kemi fillimin zyrtar të negociatave me një takim të gjithë Qeverisë me Komisionin Evropian. Me të gjitha pamjet dhe standardet. Kjo është ajo, të nderuar deputetë, e vetmja e vërtetë në këtë stuhi manipulimesh, spekulimesh, lajmesh të rreme dhe dëmtime të qëllimshme e të paqëllimta dhe krijimit të krizës dhe destabilizimit të shtetit. Një propozim të tillë, i cili pasqyron plotësisht interesat tona kombëtare dhe vijat e kuqe, unë, Qeveria dhe Presidenti i shtetit deklaruam PO”, thekson Kovaçevski.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, e cila iu drejtua deputetëve para debatit parlamentar, dje në Tuiter ka shkruar – nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Ne e respektojmë plotësisht atë.

Së bashku me mesazhin, Fon der Lajen ka ripërtërirë edhe pjesën e fjalimit të saj në Kuvend, ku u ka thënë deputetëve  “E ardhmja e vendit tuaj është në Bashkimin Evropian dhe Evropa nuk është e plotë pa Maqedoninë e Veriut. Ne ju duam në BE! Faleminderit.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për “Blic” të Beogradit ka theksuar se propozimi francez i plotëson të gjitha vërejtjet tona.

Ne ia dolëm, theksoi Mariçiq, ta mbrojmë gjuhën maqedonase, siç e premtuam.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë, profesor Nikolla Dujovski, për rreziqet e sigurisë për vendin, nëse pranohet apo refuzohet  propozim korniza negociuese, thotë se refuzimi i propozimit francez do të nënkuptojë procese retrograde që mund të na distancojnë dhe të na lënë vetëm përsëri.

Derisa në Kuvend vazhdon debati për Informacionin për përmbajtjen e  Propozim kornizës negociuese, qytetarët po protestojnë kundër propozimit francez para godinës së Kuvendit. Para Kuvendit janë ngritur çadra, ndërsa rruga është e mbyllur për qarkullim.

admin
By admin 16 Korrik, 2022 09:15