Shqipëri, Taulant Balla depoziton rezolutën për Srebrenicën në Kuvend

Xheneta Mirtezani
By Xheneta Mirtezani 30 Qershor, 2022 13:46

Shqipëri, Taulant Balla depoziton rezolutën për Srebrenicën në Kuvend

Rezoluta kundër gjenocidit serb në Srebrenicë është depozituar sot në Kuvend nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe pritet të miratohet më datë 7 korrik, ditën që do të mbahet edhe protesta e organizuar nga Sali Berisha.

Aty konfirmohet qëndrimi i Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës, përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Në projekt rezolutë thuhet se ky gjenocid nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit;

Projekt rezoluta:

PROJEKT-REZOLUTË
PËR PËRKUJTIMIN DHE NDERIMIN E VIKTIMAVE TË
GJENOCIDIT NË SREBENICË

• Duke mbajtur parasysh Kartën e Kombeve të Bashkuara, Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë, Konventën mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Statutin e Romës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Aktin Final të Helsinkit, Paktin për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventën Evropiane dhe dokumentet e tjera të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe të Bashkimit Evropian për të Drejtat e Njeriut;

• Duke iu referuar Aktgjykimit të Apelit, Rasti Nr.: IT-99-33, 19 prill 1993 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, ku masakra në Srebrenicë është njohur dhe e pranuar si gjenocid; Vendimit të apelit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë 26 shkurt 2007, që konstaton se aktet e kryera në Srebrenicë dhe rrethinë rreth datës 15 korrik 1995, janë akte të gjenocidit dhe se të njëjtat duhet të quhen me emrin e vërtetë: Gjenocid; Aktgjykimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Rastin Nr. IT-09-92-T, 22 nëntor 2017 dhe vendimin e Apelit të Mekanizmit të Përhershëm Ndërkombëtar për Gjykatat Penale për rastin MICT-13-56-A, 8 qershor 2021;

• Bazuar në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB 827 të datës 25 maj 1993, 1551 të datës 9 korrik 2004 dhe 1575 të datës 22 nëntor 2004;

• Në përputhje të plotë me rezolutat e Parlamentit Evropian të datës 7 korrik 2005, 15 janar 2009 dhe të atë datës 15 korrik 2015 për Përkujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë si dhe me vlerësimet e raportit të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës të Këshillit të Evropës, ECRI, miratuar në 22 mars 2017;

• I njëzëshëm me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë e njëkohësisht Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, zotit Josep Borrell, si dhe të Komisionerit Olivér Várhelyi mbi gjenocidin në Srebrenicë;

• Në mbështetje dhe zbatim të përparësive të Republikës së Shqipërisë të përcaktuara për mandatin në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022 -2023 si dhe programit e punës së Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurimit për muajin qershor 2022, që ka në qendër respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e llogaridhënies për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe në frymën e Debatit të Hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare”, të zhvilluar me datën 2 qershor 2022;

• Me vullnetin e palëkundur për të kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e paqes, sigurisë dhe vlerave demokratike në Evropë, e veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

– Konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit;

– Shpreh dhimbjen e thellë për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga gjenocidi në Srebrenicë, si dhe mirëkuptimin e plotë dhe simpatinë e sinqertë ndaj tërë të lënduarve gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë;

– Dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi, si dhe konsideron të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit;

– Bashkohet me vlerësimin se qëndrimet e kandidatëve për anëtarësim në BE duhet të përputhen plotësisht jo vetëm me acquis të BE-së, por edhe me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, në linjë me ato parime e vlera të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet demokratike, sipas të cilave mohimi dhe mosdënimi publik i gjenocidit në Srebenicë është i papajtueshëm me vlerat dhe aspiratat evropiane;

– U bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organeve ndërkombëtare e kombëtare të drejtësisë të rrisin angazhimin dhe përpjekjet e tyre serioze për ndjekjen penale dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe bashkëpunëtorëve të tyre përgjegjës për gjenocidin dhe krimet e tjera të luftës.

U bën thirrje Bashkimit Evropian, NATO-s dhe secilit prej vendeve të tyre anëtare, të punojnë me intensitet për të përshpejtuar proceset e zgjerimit, si një garanci për konsolidimin e vlerave demokratike, paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Evropë e më gjerë.

– Shpreh mbështetjen e plotë për qëndrimet, veprimet dhe masat e marra nga Qeveria shqiptare në mbështetje të parimeve mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane, dhe rendi global i marrëdhënieve midis shteteve.

– Duke vlerësuar dhe përkrahur angazhimin serioz, profesional e në frymë të lartë përgjegjësie të Qeverisë shqiptare në përmbushje të rolit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, i kërkon Qeverisë që:

– Të vazhdojë angazhimin e saj në mbrojtje të parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e llogaridhënies për shkeljet e rënda të saj, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere të Këshillit të Sigurimit, BE, OSBE dhe Këshillit të Evropës;

– Të nderojë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke iu referuar vendimit të Parlamentit Evropian, të shpallë datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë;

– Të japë tërë kontributin e saj në mbështetje të thellimit të reformave dhe proceseve demokratike për konsolidimin e një shoqërie ku sundon ligji, drejtësia dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor, fryma e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe integrimit Evropian, si rruga e vetme për të kapërcyer urrejtjen dhe ndarjet, për të promovuar drejtësinë mbi bazën e të cilës ndërtohet paqja, siguria dhe pajtimi mes popujve në rajon, Evropë e më gjerë.

– Të punojë parreshtuar për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të Ballkanit Përendimor, në frymën e respektit reciprok, parimeve të barazisë, frymës së pajtimit dhe mirëkuptimit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të drejtë, duke forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare mes vendeve si dhe kontaktet mes njerëzve, në të mirë të paqes, sigurisë, përparimit ekonomik e shoqëror për cdo vend dhe rajoin në tërësi./Topchannel

Xheneta Mirtezani
By Xheneta Mirtezani 30 Qershor, 2022 13:46