Fëmijët gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale

admin
By admin 26 Dhjetor, 2021 13:38

Fëmijët gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale

Çdo ditë e më shumë po rritet përdorimi i rrjeteve sociale nga nxënësit e arsimit fillor. Këto të fundit kanë hapur profile thuajse në të gjitha aplikacionet që tashmë ekzistojnë duke postuar foto e shpesh herë edhe video të ndryshme, qoftë vetëm ose me shoqëri. Për të dëshmuar këtë, ekipi I Alsat qëndroi në mesin e shumë filloristëve të cilët tregojnë kush dhe cilat aplikacione i përdor më shumë, shkruan Alsat.

“Unë më shumë e përdori Instagramin, Tik-tok-un shumë rrallë. Çka publikon në Instagram? Foto. Fotot e tua? Po”.

“Sa janë të sigurta janë edhe të rrezikshme, të krijojnë stres para se të postosh diçka. Çka poston më shumë? Ndonjë thënie që më pëlqen, ndonjë foto timen, por jo shumë me postuar, duhet të kemi kujdes. Mund të keqpërdoret fotoja. Normal që na marrin kohë sepse fokusohesh vetëm në rrjetet sociale edhe ato të shkaktojnë dëm, nuk mund të koncentrohesh në mësim se e ke mendjen krejt tjetër kund”

Ndërkohë, disa prej nxënësve vlerësojnë se nuk duhet bërë pjesë e rrjeteve sociale deri në përfundimin e arsimit fillor.

“Nuk kam ndonjë profil, mendoj se është herët me pas profil. Janë pak të dëmshme, ndikojnë në mësim, në nota. Rrjetet sociale të marrin kohë, të mashtrojnë edhe  më pas nuk do të kesh kohë me mësuar”.

“Jam në klasën e gjashtë dhe nuk kam asnjë rrjet social sepse nëse publikojmë foto ose diçka tjetër, ato mund të keqpërdoren nga ana e njerëzve tjerë”.

Profesori Lulzim Murtezani vlerëson se rreziqet janë shumë të mëdha nga përfshirja e pakontrolluar e fëmijëve në rrjetet sociale. Madje, ai këtë e quan internet pandemi me pasoja të rënda nëse nuk mbikëqyren nga prindërit ose kujdestarët e tyre.

“Tik-tok-u një rrjet social I cili shpesh herë edhe rrezikon jetën e të rinjve pa dyshim dhe jetën e fëmijëve, që do të të thotë me fjalë të tjera gjithë kjo mundësi e qasjes të pakontrolluar në internet shpesh herë do të ndikojë dëmshëm në të menduarit, në mënyrën e perceptimit të realitetit, në krijimin e imazheve të gabuara të realitetit dhe në këtë mënyrë do të shkaktojë konfuzion te identiteti I fëmijëve dhe I të rinjve. Prandaj themi që doemos duhet të ndërmarrim masa por edhe ekzistojnë masa, sa zbatohen është tjetër çështje. Prindërit, sidomos duhet të mbajnë në sy fëmijët e tyre”- thotë Lulzim Murtezani, psikolog.

Sipas të dhënave të MPB-së, gjatë vitit 2019-20, janë regjistruar 85 raste të denoncimeve për keqpërdorim të të dhënave personale, abuzime në internet të të dhënave personale, pavarësisht nëse bëhet fjalë për foto, shantazh apo diçka tjetër.

admin
By admin 26 Dhjetor, 2021 13:38